Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë të tensionuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë së cilës e ka kritikuar ashpër për veprimet ushtarake të Izraelit në Liban, që sipas Uashingtonit rrezikonin të minonin përpjekjet diplomatike amerikane në rajon.
Sipas një raportimi të Axios, që citon zyrtarë amerikanë të njohur me bisedën, Trump ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Netanyahut, duke e akuzuar se po përshkallëzon konfliktin në një moment delikat për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit. Në një nga momentet më të nxehta të telefonatës, Trump thuhet se i është drejtuar liderit izraelit me fjalët: “Je i çmendur”, ndërsa në një rast tjetër e ka pyetur: “Çfarë po bën?”
Sipas burimeve amerikane, zemërimi i Trump erdhi pasi Izraeli po shqyrtonte sulme të reja ndaj objektivave të Hezbollahut në Bejrut, gjë që kishte nxitur Iranin të kërcënonte me ndërprerjen e negociatave me SHBA-në. Trump besohet se i ka kërkuar Netanyahut të tërhiqet nga planet për përshkallëzim ushtarak, duke argumentuar se kjo do ta izolonte më tej Izraelin në arenën ndërkombëtare.
Pas telefonatës, mediat amerikane raportuan se sulmet e planifikuara ndaj Bejrutit u pezulluan, ndërsa Trump deklaroi publikisht se kishte ndihmuar në uljen e tensioneve. Nga ana tjetër, Netanyahu ka bërë të qartë se Izraeli do të vazhdojë të veprojë kundër Hezbollahut nëse kërcënimet ndaj sigurisë së vendit vazhdojnë.
Përplasja verbale mes dy liderëve konsiderohet si një nga momentet më të tensionuara në marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahut që prej rikthimit të presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë.