Një incident i rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të marte në qytetin e Ballshit, ku një bombol gazi ka shpërthyer brenda një banese në lagjen “5 Shkurti”.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e familjes Muçaj, ndërsa si pasojë është plagosur Fredi Muçaj, 55 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se 55-vjeçari ndodhej i vetëm në banesë në momentin e shpërthimit. Fatmirësisht, ai ka pësuar lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi ka shkaktuar panik te banorët e zonës, ndërsa pas njoftimit në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Ballshit. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për nxjerrjen e të plagosurit nga banesa dhe sigurimin e zonës për të shmangur rreziqe të tjera.
Dyshimet e para janë se bombola e gazit mund të ketë pasur një defekt në valvulat e sigurisë, duke shkaktuar rrjedhje gazi dhe më pas shpërthimin.