Ditën e sotme në Tiranë u zhvillua dita e tretë e protestës së thirrur nga aktivistë dhe ambientalistë kundër projekteve të ndërtimit dhe resorteve në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Qytetarët u grumbulluan fillimisht në Sheshin "Skënderbej" dhe marshuan drejt Ministrisë së Brendshme e më pas përpara godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar anulimin e planeve në zonat mjedisore. Përgjatë marshimit pati edhe momente tensioni ku u shënua çarje e kordonit të sigurisë së policisë.

Përkrah zhvillimeve në shesh, vëmendjen e qytetarëve pjesëmarrës në protestë e ka tërhequr një detaj i pazakontë në lartësitë e ndërtesave institucionale.
Gjatë tubimit, njerëzit në turmë vunë re një person të maskuar me maskë të zezë, i cili ishte pozicionuar mbi tarracën e një prej institucioneve rrethuese.
Qytetarët arritën të fotografonin personin në fjalë, i cili po mbante në duar një pajisje celulare dhe po i filmonte në mënyrë të vazhdueshme ata dhe lëvizjet e tyre nga lart.
Edhe ditën e djeshme persona të maskuar filmonin pjesëmarrësit në protestë.
