Pas arratisjes së bujshme të shqiptarit Edmond Tafa, 48 vjeç, nga burgu i sigurisë së lartë në Koridhalos të Greqisë, autoritetet greke kanë arrestuar dy oficerë të burgut, të cilët po hetohen për përgjegjësinë e tyre në ngjarje.
Sipas informacioneve zyrtare, arratisja ndodhi gjatë shpërndarjes së ushqimit. Tafa punonte në Depon Qendrore të Furnizimeve të burgut dhe ishte i angazhuar në transportimin e bukës, çka dyshohet se i krijoi mundësinë për t’u larguar nga ambientet e institucionit.
48-vjeçari po vuante një dënim për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës. Autoritetet greke bëjnë me dije se ai ishte konsideruar më parë i përshtatshëm për përfitimin e lejeve të rregullta dhe gjatë gjashtë muajve të fundit kishte marrë tre të tilla.
Në të gjitha rastet, Tafa ishte kthyer në kohë në institucionin e vuajtjes së dënimit, duke respektuar kushtet e vendosura nga autoritetet. Para transferimit në Koridhalos, ai mbahej në burgun e Korfuzit.
Ndërkohë, dy punonjësit e burgut janë arrestuar nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Pire, nën dyshimet për neglizhencë ose përfshirje në largimin e të burgosurit.
Paralelisht me hetimin penal, ndaj tyre ka nisur edhe procedura disiplinore, ndërsa operacionet për lokalizimin dhe kapjen e të arratisurit vijojnë.