GJKKO ka dënuar me 4 vite burg Florenc Çapjan, pasi u shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje. Fillimisht, ndaj tij u caktua një dënim prej 6 vitesh heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa u ul në 4 vite burg.
Vendimi u dha ditën e sotme nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Vraniçi, Rudina Palloj dhe Marinela Osmani. Në të njëjtën çështje, me nga 4 vite burg u dënuan edhe Elvin Merlika dhe Alket Xhixha, të cilët u shpallën fajtorë për vepra penale që lidhen me sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas vendimit të gjykatës, Çapja rezulton fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e shtetasit me iniciale S.S., ndërsa Merlika dhe Xhixha për rastin e shtetasit me iniciale I.D. Të tre të dënuarit do ta vuajnë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë, ndërsa koha e burgimit do të llogaritet nga momenti i arrestimit të secilit.
Florenc Çapja u ekstradua nga Dubai më 2 maj të këtij viti. Ai akuzohet nga SPAK për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje në dëm të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Ndërkohë, Çapja është dënuar më herët me burgim të përjetshëm si një nga porositësit e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan në vitin 2012, akuza që ai e ka mohuar vazhdimisht. Ai vijon të jetë gjithashtu nën hetim për çështjen e vrasjes së ish-oficerit Fadil Mema, dosje e cila është rikthyer për shqyrtim pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.