Dosja AKSHI: Gjykata i kthen apartamentin Agasit e Karçanajt, heq sekuestron e pasurive për 3 biznesmenë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.06.2026, 16:40

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të ndryshojë pjesërisht vendimin e shkallës së parë në lidhje me sekuestrimin preventiv të pasurive të disa prej të pandehurve në dosjen e njohur si ajo e AKSHI-t.

Vendimi prek ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët vijojnë të jenë në kërkim. Gjykata e Apelit ka vendosur të heqë masën e sekuestros për një apartament në pronësi të Mirlinda Karçanajt, si edhe për një apartament që i atribuohet Ergys Agasit.

Po ashtu, Apeli ka rrëzuar disa nga sekuestrimet preventive të kërkuara nga Prokuroria e Posaçme për pasuri dhe asete të tjera të të pandehurve në këtë çështje.

Për Gëzim Hoxhën, gjykata ka shfuqizuar sekuestron mbi asetet e një shoqërie private në vlerën 123.6 milionë lekë.

Në rastin e Andis Papës, janë zhbllokuar fondet e dy subjekteve të ndryshme, me vlera përkatësisht 410.5 milionë lekë dhe 94.4 milionë lekë.

Ndërsa për Elision Jorgjin, Apeli ka vendosur heqjen e sekuestros preventive mbi asetet e kompanisë së tij, të vlerësuara në rreth 100.8 milionë lekë.

Vendimi i fundit përbën një ndryshim të pjesshëm të masave të sigurisë pasurore të vendosura më herët nga Shkalla e Parë, ndërsa procesi gjyqësor për dosjen e AKSHI-t vijon ende.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit