Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat kundër ndërtimit të resortit turistik në Zvërnec të Vlorës, duke u bërë thirrje qytetarëve që të përzgjedhin 20 përfaqësues për një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë. Përmes një postimi në rrjetet sociale ku ka hedhur video ku protestuesit e shajnë, kreu i qeverisë tha se është i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e protestuesve dhe të diskutojë me ta mbi projektin që ka shkaktuar debate të shumta. Rama vlerësoi qytetarët që po marrin pjesë në protestë, duke i cilësuar ata si “më të freskët se mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares për 13 vite”.
Reagimi i Ramës:
Çuna, Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet. Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik. Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo? Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni. Nëse doni, natyrisht. Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara: ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, protesta kundër ndërtimit të resortit pritet të vazhdojë edhe sot. Qytetarët janë thirrur të mblidhen në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej në Tiranë, për të marshuar më pas drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe për t’u ndalur para Kryeministrisë.