Një qytetar ka denoncuar në redaksinë tonë gjendjen skandaloze të mbeturinave në terminalin e autobusëve në kryeqytet, duke e cilësuar situatën si problematike dhe të papërshtatshme për një hapësirë që shërben për udhëtarë vendas dhe të huaj.
Ai ka treguar se pak ditë më parë ka qenë duke shoqëruar disa vizitorë të huaj në terminal por duke parë gjendjen e mbeturinave të shpërndara kudo ata janë shprehur të habitur dhe të pakënaqur nga pamja.
Qytetari thotë se në çdo cep të terminalit ka grumbullime mbeturinash, duke krijuar një ambient të papastër dhe të pakëndshëm.
“U skandalizuan nga ky pisllik. O Zot çfarë tmerri. Mbeturina në të gjitha anët, ngjan si landfill dhe jo terminal autobusesh. Është e turpshme,” – citohet qytetari në denoncim.
Terminali i Autobusëve në Tiranë shërben si një nga nyjet kryesore të lëvizjes ndërqytetase, duke pritur çdo ditë një numër të lartë udhëtarësh vendas dhe të huaj, por pamje të tilla janë vërtetë zhgënjyese për një kryeqytet që mburret si më i miri në rajon e më gjerë.
