Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksi, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si trajtohen qytetarët në disa institucione shëndetësore publike. Rasti i fundit vjen nga Spitali i Kamzës, ku një prind pretendon se është përballur me neglizhencë, mungesë profesionalizmi dhe sjellje fyese nga personeli infermieror.
Sipas qytetarit, ai iu drejtua spitalit për t’i siguruar ndihmë mjekësore vajzës së tij të sëmurë, por në vend të kujdesit që priste për fëmijën, u përball me një situatë që e cilëson të papranueshme.
Në videon e dërguar në redaksi, dëgjohet një infermiere që në momentet e para i drejtohet qytetarit me tone kërcënuese, duke i thënë se do t’ia “thyejë telefonin në kokë”. Ndërkohë, edhe pse fëmija shihet duke qarë dhe familjarët kërkojnë ndërhyrje pasi serumi nuk po funksiononte, infermieret vijojnë bisedat mes tyre, pa treguar reagimin e pritshëm ndaj situatës.
Pamjet bëhen edhe më tronditëse në fund të videos, ku një prej infermiereve përdor gjuhë të rëndë dhe fyese ndaj qytetarit, duke e degraduar edhe më tej komunikimin me familjarët që kishin kërkuar ndihmë, ajo dëgjohet tek thotë, "të q**sha robt.
Ky nuk është rasti i parë që ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e shërbimit në sistemin shëndetësor publik. Vetëm pak kohë më parë u publikuan pamje nga një pavion psikiatrik, ku një infermiere dëgjohej duke ofenduar rëndë një paciente.
Ndërsa delirantja e shëndetësisë flet për reforma, investime dhe modernizim të sistemit, raste të tilla vijojnë të ekspozojnë një realitet krejt tjetër për qytetarët, të cilët shpesh përballen me mungesë kujdesi, arrogancë dhe sjellje që nuk kanë vend në një institucion shëndetësor. Në fund të fundit, pacientët nuk kërkojnë privilegje, por shërbimin dhe respektin minimal që u takon.