Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë tonë gjendjen e rënduar të Qendrës Shëndetësore në Mezez, në njësinë administrative Kashar të Tiranës, duke e cilësuar situatën si skandaloze.
Sipas tij, ambientet e institucionit paraqesin probleme serioze higjieno-sanitare, me mure të mbuluara nga myku dhe lagështira, ndërsa kushtet në tërësi lënë shumë për të dëshiruar.
Qytetari thotë se ditën e sotme se gjatë marrjes së shërbimit shëndetësor është detyruar të blejë vetë në farmaci serumin dhe materialet e nevojshme për trajtimin, pasi ato mungonin në qendrën shëndetësore.
“Këtu më shumë sëmuresh sesa shërohesh. Kushtet janë skandaloze, muret janë me myk dhe lagështirë”, shprehet ai në denoncimin e dërguar.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për përmirësimin e kushteve dhe garantimin e shërbimeve bazë shëndetësore për pacientët që drejtohen çdo ditë në këtë qendër.
