Pak kohë më parë, JOQ Albania ngriti alarmin për gjendjen e Urës së Matit në segmentin Milot–Lezhë, duke raportuar dëmtime të dukshme që mund ta bëjnë kalimin e automjeteve të pasigurt.
Sipas denoncimeve të qytetarëve, disa elementë metalikë të strukturës janë shkëputur dhe kanë dalë mbi asfalt, duke krijuar rrezik të shtuar për aksidente dhe dëmtime të mjeteve.
Megjithëse Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se problematika ishte zgjidhur nga ekipet e mirëmbajtjes, situata duket se është përsëritur. Pjesët metalike janë shkëputur sërish, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë në këtë urë.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen se ndërhyrja e kryer nuk ka qenë e qëndrueshme, pasi saldimi i elementëve të dëmtuar nuk ka rezultuar efektiv. Si pasojë, strukturat metalike janë hapur përsëri dhe përbëjnë një kërcënim serioz për qarkullimin.
Ura e Matit është një nyje e rëndësishme infrastrukturore që lidh Milotin me Lezhën dhe Shkodrën, ndërsa shërben edhe si korridor kryesor drejt kufirit me Malin e Zi. E ndërtuar në vitin 2002 me mbështetjen e qeverisë italiane dhe me një gjatësi prej rreth 300 metrash, ajo nuk ka njohur ndërhyrje të mëdha gjatë viteve për përforcimin e strukturës apo mbrojtjen nga efektet e erozionit.