Shqiptari tenton të grabisë një lokal lojërash fati në Itali, përplaset me policinë dhe arrestohet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.06.2026, 11:45

Një tentativë grabitjeje në Itali ka përfunduar keq për një 28-vjeçar shqiptar, i cili u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër nga policia.

Ngjarja ndodhi në zonën e Corticella-s, mes rrugëve Via Bentini dhe Via Stendhal. Rreth orës 02:40 të mëngjesit, i riu, i maskuar, hyri në një lokal lojërash fati me qëllim grabitjen e tij. Megjithatë, lëvizjet e tij u vunë re nga rojet e një kompanie private sigurie, të cilat njoftuan menjëherë autoritetet.

Kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, autori ishte larguar, por hetimet e shpejta dhe gjurmët e lëna pranë kasafortës dhe automjeteve të lojërave të fatit i çuan drejt një furgoni me të cilin po largohej i dyshuari.

Arratisja zgjati vetëm pak minuta. Pas rreth pesë minutash ndjekjeje, 28-vjeçari përplasi një automjet patrullimi ku ndodheshin dy efektivë. Përplasja bëri që edhe furgoni që drejtonte të dilte nga rruga, duke i dhënë mundësi patrullave të tjera të ndërhynin.

Edhe pse i dëmtuar nga aksidenti, shqiptari tentoi të largohej në këmbë, por u neutralizua dhe u arrestua në parkingun e një biznesi në Via Stendhal, raportojnë mediat italiane.

Policia rikuperoi sendet e vjedhura. Sipas autoriteteve, i riu kishte arritur të merrte rreth 80 euro nga arka e lokalit, ndërsa në makinat e lojërave të fatit dyshohet se ndodheshin mijëra euro, megjithëse shuma e saktë nuk është përcaktuar.

Hetimet zbuluan gjithashtu se furgoni i përdorur gjatë grabitjes ishte vjedhur një natë më parë. 28-vjeçari, i njohur më herët për vepra penale kundër pronës, u arrestua nën akuzat për vjedhje të rëndë dhe rezistencë ndaj një zyrtari publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit