Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj kundërshtimeve për projektin turistik në Zvërnec, një ditë pasi protestuesit në Tiranë i lanë 24 orë afat për të dhënë sqarime mbi investimin. Në një postim publik, kreu i qeverisë solli në vëmendje shembullin e resortit Costa Navarino në Greqi, duke argumentuar se projektet e mëdha zhvillimore shpesh përballen me kritika të forta përpara se të realizohen.
Rama kujtoi se para ndërtimit të Costa Navarinos kishte protesta, peticione dhe paralajmërime për dëme mjedisore, por sipas tij, rezultatet përfundimtare treguan të kundërtën. Ai theksoi se parashikimet për shkatërrimin e natyrës dhe biodiversitetit nuk u vërtetuan, ndërsa projekti u kthye në një histori suksesi për turizmin grek.
Duke iu referuar projektit të planifikuar në Zvërnec, Rama u shpreh se edhe Shqipëria mund të ketë një destinacion të ngjashëm me jehonë ndërkombëtare. Deklarata e tij vjen në një kohë kur projekti vijon të përballet me kritika dhe kërkesa për më shumë transparencë nga aktivistë, qytetarë dhe përfaqësues të opozitës.