Një ngjarje e rëndë ka tronditur jugun e Italisë, ku katër persona janë gjetur të pajetë brenda një automjeti të përfshirë nga flakët në një pikë karburanti në bregdetin e Jonit, në provincën e Cosenzës. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po hetojnë intensivisht për të zbardhur atë që ka ndodhur.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat dyshohet të jenë emigrantë me origjinë nga Pakistani. Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë, por në këtë fazë të hetimeve po merr peshë edhe dyshimi për një akt kriminal.
Alarmi u dha rreth orës 13:00, kur shërbimet e emergjencës u njoftuan për një automjet që ishte përfshirë nga flakët në një stacion karburanti. Pas mbërritjes në vendngjarje, zjarrfikësit arritën të vinin situatën nën kontroll, por gjatë operacionit zbuluan katër trupat e pajetë brenda mjetit.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të identifikuar viktimat dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes, ndërsa priten rezultate të mëtejshme nga ekspertizat dhe verifikimet në terren.