Sala shkarkon Paparizon nga QSUT, emëron Degjonin që shpërdoroi detyrën

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 01.06.2026, 15:36

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka shkarkuar Anxhela Paparizon nga drejtimi i Qendrës Spitalore Nënë Tereza (QSUT). Në vendin e Paparizos është emëruar si drejtuese e re e QSUT-së, Rudina Degjoni. Sipas njoftimit të ministrisë së Shëndetësisë, Degjoni vjen nga një eksperiencë e gjatë në menaxhimin spitalor.

Paparizo u vendos në krye të institucionit më të madh shëndetësor në vend pas largimit të Florenc Spahos. Paparizo ka një formim në Histori dhe Gazetari, ndërsa karriera e saj është ndarë mes Tiranës dhe Kanadasë. Përpara se të largohej në vitin 2008, ajo ka mbajtur disa poste drejtuese në Bashkinë e Tiranës. Prej vitesh jeton në Ontario, ku drejton Departamentin e Arteve dhe Kulturës në Bashkinë e qytetit Burlington.

Në 2024, Paparizo ishte e pranishme në një takim në selinë e Partisë Demokratike me ish-kryeministrin Sali Berisha, si nënkryetare e Këshillit Koordinues të Diasporës. Në atë kohë, Berisha e quajti takimin një shkëmbim idesh për situatën në Shqipëri dhe për të drejtën e votës së emigrantëve.

Kujtojmë se emri i Rudina Degjonit u përfshi në një çështje të bujshme në vitin 2023, kur Prokuroria e Fierit e dërgoi në gjyq nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, në kohën kur drejtonte Spitalin Memorial të Fierit. Sipas organit të akuzës, ajo kishte lejuar kryerjen e procedurave të botoksit gastrik me preparate të siguruara jashtë rrugëve zyrtare të spitalit, për të cilat pacientët kishin kryer pagesa private. Prokuroria argumentoi se praktika ishte në kundërshtim me standardet ligjore dhe teknike, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve dhe duke cenuar interesat e një institucioni publik shëndetësor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit