Edvin Ndreu është komanduar në detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës, pas ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese dhe largimit nga detyra të Elidon Çela. Ky i fundit është pezulluar pas ngjarjeve të regjistruara në zonën e Zvërnecit, ku gjatë protestave kundër një projekti turistik u raportuan përplasje dhe përdorim i sprejit ndaj protestuesve nga roje private të kantierit.
Ndreu, i cili më herët ka mbajtur postin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, është emëruar përkohësisht në krye të Policisë së Vlorës deri në një vendimmarrje të mëtejshme nga autoritetet. Ndryshimi në drejtim vjen në kuadër të riorganizimeve pas menaxhimit të protestave dhe shqyrtimit të veprimeve të strukturave policore në terren gjatë incidentit.
Sipas të dhënave zyrtare, pezullimi i Çelës është lidhur edhe me mënyrën e raportimit dhe trajtimit të një protestuesi të dëmtuar gjatë përplasjes, ku fillimisht u pretendua se ai kishte hyrë me forcë në kantier, ndërsa më pas ky version u kundërshtua nga Policia e Shtetit. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar edhe nisjen e një hetimi disiplinor për zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës.