Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet për projektin turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke sqaruar se investimi nuk vjen nga Izraeli, siç është pretenduar nga disa kundërshtarë të projektit, por nga Katari.
Gjatë deklaratës së tij, Rama kritikoi ashpër ata që kundërshtojnë investimin, duke i akuzuar për hipokrizi dhe për përdorim të fesë për qëllime politike. Ai u ndal veçanërisht te reagimet e disa individëve që e kanë kundërshtuar projektin duke e lidhur atë me Izraelin.
“Nuk është Izraeli, por Katari”, u shpreh Rama, duke theksuar se një pjesë e kritikëve kanë ndërtuar narrativa të pavërteta për të nxitur reagime kundër investimit.
Kryeministri shkoi më tej në deklaratën e tij, duke sulmuar ata që, sipas tij, vetëshpallen si besimtarë të devotshëm, por përdorin fenë në mënyrë selektive. Rama deklaroi se “ata që i thonë vetes myslimanë vetëm me Allahun dhe Kuranin në gojë” po e shfrytëzojnë këtë çështje për propagandë dhe jo për shqetësime reale mbi zhvillimin e zonës.