Aktivistë, të rinj dhe qytetarë të shumtë zhvilluan këtë të diel një marshim proteste në kryeqytet, pas ngjarjeve të fundit të regjistruara në Zvërnec dhe Rrjoll.
Tubimi nisi pranë Ministrisë së Brendshme, vijoi përgjatë bulevardit dhe u mbyll përpara Kryeministrisë. Gjatë marshimit, pjesëmarrësit kërkuan zbardhjen e plotë të incidenteve të raportuara në Zvërnec dhe Rrjoll, si dhe përgjegjësi për personat e përfshirë.
Përveç kërkesave që lidhen me ngjarjet në terren, protesta mori edhe tone të forta politike. Në disa momente të tubimit u dëgjuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa një pjesë e protestuesve shprehën pakënaqësi ndaj asaj që e konsiderojnë dështim të klasës politike në tërësi.
Mes thirrjeve që u dëgjuan gjatë marshimit ishin edhe “Rama në burg, Berisha në burg”, si dhe slogane të tjera kundër figurave kryesore të politikës shqiptare. Protestuesit argumentuan se problematikat e ngritura prej tyre nuk lidhen vetëm me një forcë politike, por me mënyrën se si është qeverisur vendi ndër vite.
Protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa pjesëmarrësit e përmbyllën marshimin para godinës së Kryeministrisë.
Ndërkohë, debati mbi zhvillimet në këto zona mbetet i hapur, me qëndrime të ndryshme mes mbështetësve të investimeve dhe atyre që kanë shprehur shqetësime për mënyrën e realizimit të tyre.