Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon një tjetër rast shqetësues nga bregdeti shqiptar, këtë herë në plazhin e Spillës në Kavajë, ku një jetski shihet duke lëvizur shumë pranë vijës bregdetare dhe pushuesve që ndodheshin në ujë.
Nga pamjet duket qartë se mjeti kalon në një distancë tepër të afërt me personat që po laheshin, duke ngritur pikëpyetje serioze për respektimin e perimetrit të sigurisë në zonat e plazhit.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi JOQ Albania publikoi pamje nga Velipoja, ku një tjetër jetski kryente manovra të rrezikshme pranë pushuesve, ndërsa një javë më parë u denoncua edhe rasti i një mjeti lundrues në Dhërmi që lëvizte pranë zonës së larjes. Pas publikimit të atij rasti, Policia Kufitare identifikoi drejtuesin dhe e ndëshkoi me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, duke bllokuar gjithashtu mjetin.
Megjithatë, raste të tilla vijojnë të raportohen nga qytetarët, duke krijuar përshtypjen se shkelja e rregullave të sigurisë në plazhe po kthehet në një fenomen të zakonshëm.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të tragjedive të së kaluarës, mes tyre aksidenti fatal i verës së vitit 2022, kur 7-vjeçarja Jolanda Avdiaj humbi jetën pasi u godit nga një skaf pranë zonës së pushuesve.
Qytetarët kërkojnë kontrolle më të rrepta dhe monitorim të vazhdueshëm të mjeteve lundruese gjatë sezonit turistik, në mënyrë që plazhet të jenë të sigurta për familjet dhe fëmijët që frekuentojnë bregdetin shqiptar.