Një rast vjedhjeje është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjëse e një marketi në Tiranë, e cila pretendon se i është marrë telefoni celular gjatë orarit të punës.
Sipas saj, ngjarja ka ndodhur më 27 maj, rreth orës 20:00, në ambientet e një marketi në rrugën “Mine Peza”. Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, shihet një person i cili, pasi kryen pagesën e produkteve që kishte blerë, merr fshehurazi një telefon që ndodhej në zonën e kasës dhe largohet nga marketi.
Punonjësja thotë se në atë moment nuk ndodhej pranë kasës dhe vetëm më vonë ka konstatuar mungesën e telefonit të saj, një iPhone 13 Pro Max. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë, sipas saj, është identifikuar momenti kur telefoni merret nga personi në fjalë.
Ajo i bën thirrje qytetarit të paraqitur në video që ta kthejë telefonin në marketin ku është marrë ose ta dorëzojë pranë Komisariatit Nr. 3.