Historike! Forcat politike shqiptare në Mal të Zi unifikohen në një subjekt të vetëm

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 31.05.2026, 14:30

Tre subjekte politike shqiptare në Mal të Zi kanë zyrtarizuar bashkimin e tyre në një forcë të vetme politike me emrin “Forumi Shqiptar”, në një lëvizje që synon forcimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet vendore dhe qendrore të vendit. Marrëveshja u nënshkrua nga lideri i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj, kryetari i Unionit Nacional Shqiptar Ferhat Dinosha dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve Ivan Ivanaj.

Në krye të subjektit të ri pritet të jetë zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili do të udhëheqë procesin e konsolidimit organizativ dhe politik deri në mbajtjen e kongresit themelues. Gjatë prezantimit në Tuz, Gjeloshaj e cilësoi bashkimin si një moment historik dhe një hap të rëndësishëm për forcimin e unitetit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të arrihen rezultate të qëndrueshme në përfaqësim dhe integrim europian.

Edhe përfaqësuesit e tjerë të forcave politike, Ferhat Dinosha dhe Ivan Ivanaj, e vlerësuan marrëveshjen si një hap drejt unifikimit të zërit politik shqiptar në vend. Ata theksuan se procesi mbetet i hapur edhe për subjekte të tjera shqiptare që mund t’i bashkohen në të ardhmen, me synimin për një përfaqësim sa më të gjerë dhe të unifikuar të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit