Një automjet është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të diele në aksin rrugor Korçë–Ersekë, pranë zonës së Qafës së Qarrit. Sipas raportimeve paraprake, mjeti tip “Benz” po udhëtonte me një familje brenda, kur në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer papritur në zjarr.
Fatmirësisht, pasagjerët kanë arritur të dalin në kohë nga automjeti, duke shmangur lëndime serioze. Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe neutralizimin e rrezikut në zonë.
Dyshimet e para flasin për një defekt teknik si shkak të mundshëm të zjarrit, i favorizuar edhe nga temperaturat e larta të ditës. Autoritetet po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.