Kur ishte polic i Veliajt gjobiste ata që punonin për bukën e gojës, sot dhunon protestuesit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.05.2026, 01:27

Pamjet e publikuara nga protesta e së shtunës në Zvërnec kanë shkaktuar reagime të forta në publik, pasi në video shfaqen përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private të angazhuar në zonë.

Mes personave që qytetarët pretendojnë se identifikohen në pamje është edhe Gazment Vathi, një emër i njohur për publikun e Tiranës nga një episod i bërë publik në media rreth tetë vite më parë, kur ai ushtronte detyrën si punonjës i Policisë Bashkiake në kryeqytet.

Në vitin 2018, emri i tij u përmend gjerësisht në media pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej gjatë një aksioni ndaj një shitësi ambulant kokoshkash. Pamjet e asaj kohe ngjallën debat publik dhe reagime të shumta, pasi shumë qytetarë e konsideruan veprimin si të padrejtë ndaj një personi që siguronte të ardhurat e familjes së tij përmes shitjes ambulante.

Tetë vite më vonë, emri i Vathit rikthehet sërish në qendër të vëmendjes. Në videot e shpërndara nga protesta e pretenduesve të pronave në Zvërnec, ai shfaqet mes punonjësve të sigurisë private të kompanisë “Major Security”, të cilët u përfshinë në përplasjet me protestuesit.

Pamjet e bëra publike në rrjetet sociale treguan momente tensioni, ku disa protestues shtyhen dhe goditen me gurë nga persona të veshur civilë, të identifikuar nga të pranishmit si punonjës të sigurisë private. Në një prej videove shihej edhe një protestues që u tërhoq zvarrë, incident i cili shkaktoi reagime të forta nga qytetarët, që dënuan këtë veprim.

Sipas dëshmive të protestuesve, pavarësisht pranisë së dhjetëra efektivëve në terren, ndërhyrja për të ndalur përplasjet nuk erdhi menjëherë. Ky fakt ka nxitur reagime të shumta, pasi episodet e dhunës u regjistruan në sy të Policisë së Shtetit, e cila kishte ngritur një kordon sigurie në zonën e protestës.

Prania e forcave të rendit gjatë incidentit ka ngritur pikëpyetje te protestuesit dhe qytetarët, të cilët kërkojnë sqarime mbi rolin e secilës palë dhe mbi mënyrën se si u menaxhua situata në terren.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit