Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian mbi Kushtet e Punës dhe Punën e Qëndrueshme, 17% e punonjësve shqiptarë deklarojnë se ndihen “gjithmonë” ose “shumicën e kohës” emocionalisht të lodhur nga puna e tyre. Kjo e rendit Shqipërinë ndër dhjetë vendet me nivelin më të lartë të rraskapitjes emocionale në Europë, mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 13%. Në rajon, përqindjen më të lartë e ka Kosova me 29%, e ndjekur nga Mali i Zi me 26% dhe Maqedonia e Veriut me 21%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina regjistron nivelin më të ulët me 13%.
Megjithatë, sa i përket lodhjes fizike, punonjësit shqiptarë raportojnë nivele më të ulëta krahasuar me shumicën e vendeve europiane. Vetëm 26% e tyre deklarojnë se ndihen gjithmonë ose vazhdimisht të rraskapitur fizikisht në fund të ditës së punës, nën mesataren e BE-së prej 28%. Ky tregues është dukshëm më i ulët se në vendet fqinje, si Mali i Zi (38%), Maqedonia e Veriut (35%), Kosova (34%), Serbia (30%) dhe Bosnja (29%). Sipas anketës, rraskapitja emocionale është më e përhapur në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa gratë raportojnë nivele më të larta lodhjeje fizike dhe emocionale sesa burrat.
Anketa Europiane për Kushtet e Punës 2024 u realizua në 35 vende përmes 36,644 intervistave ballë për ballë dhe ofron një pasqyrë të detajuar mbi cilësinë e punës dhe jetës profesionale në Europë. Të dhënat tregojnë se problemet më të zakonshme shëndetësore të lidhura me punën janë dhimbjet muskulare në qafë, shpatulla dhe shpinë, të raportuara nga mbi gjysma e të anketuarve, si dhe lodhja e syve, dhimbjet e kokës dhe ankthi. Raporti shërben si një instrument i rëndësishëm për politikëbërësit europianë në hartimin e strategjive për përmirësimin e kushteve të punës dhe mirëqenies së punonjësve.