Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Një grua indiane, e ardhur në Shqipëri për të siguruar bukën e familjes së saj, denoncon se është shfrytëzuar dhe lënë pa asnjë pagesë për muaj të tërë.
Në një video-dëshmi prekëse, ajo tregon se ka lënë në Indi katër fëmijët, prindërit e moshuar dhe bashkëshortin e sëmurë me veshka. Për të ardhur në Shqipëri, thotë se mori borxh në Indi, ndërsa tani familja e saj po përballet me presione dhe kërcënime nga kreditorët.
Sipas saj, ajo u punësua përmes agjencisë “Recruiting Albania” dhe nga 1 janari deri më 31 mars punoi si pastruese pranë “Iliria Business Park” në zonën e Laçit. Ajo pretendon se punonte në pastrimin e ambienteve, kuzhinës dhe banesës, me premtimin për 400 euro pagë në muaj.
Por pas tre muajsh punë, gruaja thotë se nuk mori asnjë pagesë.
E detyruar nga mungesa e parave, ajo u largua drejt Shkodrës ku gjeti një tjetër punë si pastruese. Por kur kontaktoi agjencinë për të kërkuar pagën e saj, pretendon se iu tha se “nuk mund të bënin më asgjë”, pasi ajo ishte larguar.
“Kam 4 fëmijë. Burri im është shumë i sëmurë. Nuk di çfarë të bëj. Ju lutem më ndihmoni”, dëgjohet të thotë ajo në video.
Rasti ngre sërish pikëpyetje të forta mbi trajtimin e punëtorëve të huaj në Shqipëri dhe mbi kompanitë apo agjencitë që dyshohet se përfitojnë nga gjendja e tyre e vështirë ekonomike. JOQ Albania i bën thirrje Inspektoriatit të Punës dhe institucioneve përgjegjëse të verifikojnë urgjentisht këtë denoncim dhe të vendosin para përgjegjësisë çdo person të përfshirë.