Turisti nxjerr në breg një peshkaqen të vogël në Lungomare

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.05.2026, 21:03

Një moment i pazakontë është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një turist ka hasur një peshkaqen të vogël shumë pranë bregut të detit.

Pamjet janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania dhe tregojnë gjallesën detare të nxjerrë në rërë, ndërsa sipas qytetarit, ajo ishte ende gjallë në momentin kur ai e pa.

Turisti tregon se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për mbeturina në ujë, por kur u afrua kuptoi se ishte një peshkaqen. I frikësuar për sigurinë e fëmijëve që kishte me vete, ai vendosi ta nxirrte në breg dhe të lajmëronte policinë.

“Pasditen e sootme e nxorra në breg këtë peshkaqen. Ishte gjallë. E lashë aty, lajmërova policinë, s'e di çfarë kanë bërë. Isha me fëmijët e mi në plazh, mendova se ishte bërllog. U afrova dhe kur e pashë, e largova, e nxorra në breg, lajmërova policin dhe u largova nga aty. Ta fus prapë në ujë s’pata guxim se thashë më sulmon”, shprehet ai.

Nga pamjet dyshohet se kemi të bëjmë me një peshkaqen të vogël të ujërave të Mesdheut, por lloji i saktë mbetet ende i paidentifikuar.

Ekspertët e faunës detare theksojnë se peshkaqenët e vegjël që shfaqen pranë bregut zakonisht nuk përbëjnë rrezik për njerëzit dhe shpesh dalin në cekëtira pasi janë të dëmtuar, të çorientuar ose të lodhur. Në raste të tilla, qytetarët këshillohen të mos i dëmtojnë dhe të njoftojnë autoritetet përkatëse ose specialistët e mjedisit detar.

Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me gjallesën pas mbërritjes së policisë apo nëse është rikthyer sërish në det.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit