Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar i Paskuqanit ka shkaktuar reagime dhe shqetësim në rrjet, pasi në të shihet një gjarpër me përmasa të konsiderueshme duke kaluar në rrugën pranë Parkut të Liqenit të Paskuqanit.
Sipas qytetarit që ka filmuar pamjet, raste të tilla janë bërë të shpeshta në zonë dhe kanë krijuar frikë tek banorët dhe frekuentuesit e parkut.
Në mesazhin e dërguar për JOQ Albania ai shprehet:
“Gjarpërinjte në Liqenin e Paskuqanit, çdo ditë rrezikohet jeta qytetarëve. Ku ndodhen punonjesit e Bashkisë?! Video është filmuar pasditen e sotme.”
Megjithatë, pavarësisht panikut që shkakton pamja e tyre, bëhet fjalë për një specie jo helmuese, e cila nuk përbën rrezik për jetën e njerëzve. Sipas karakteristikave të dallueshme, dyshohet se është “Shigjeta e Hollë” (Platyceps najadum), një gjarpër i padëmshëm dhe që frikësohet nga prania e njeriut.
Ekspertët e natyrës theksojnë se këta gjarpërinj luajnë rol të rëndësishëm në ekosistem, pasi ndihmojnë në kontrollin e brejtësve dhe insekteve në zonat e gjelbra. Për këtë arsye, apeli është i qartë për qytetarët: mos i vrisni dhe mos i dëmtoni, pasi nuk sulmojnë nëse nuk provokohen.
Nga ana tjetër, prania e tyre pranë zonave të frekuentuara mbetet një sinjal për institucionet përgjegjëse që të shtojnë mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave përreth liqenit, në mënyrë që qytetarët të ndihen më të sigurt gjatë shëtitjeve apo aktiviteteve në park.