Vrau gruan me çekiç dhe i fshehu trupin, gjykata e Athinës dënon përjetë shqiptarin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.05.2026, 16:02

Gjykata e Athinës ka dhënë dënimin me burgim të përjetshëm për 39-vjeçarin shqiptar Kastriot Cenko, i cili akuzohej për vrasjen e bashkëshortes së tij, 32-vjeçares Alba Cenko, nënë e fëmijëve të tyre.

Përveç dënimit të përjetshëm, gjykata vendosi edhe 2 vite e 6 muaj burg shtesë për armëmbajtje dhe përdorim të armëve. Sipas vendimit, shqiptari u shpall fajtor për vrasje me dashje në gjendje të qetë mendore, me shumicë votash 6 me 1. Vetëm një nga anëtarët e trupit gjykues kishte mendimin se krimi mund të ishte kryer në kushte shpërthimi emocional, por kjo tezë nuk u pranua nga shumica.

Ngjarja e rëndë ndodhi në nëntor të vitit 2024 dhe tronditi opinionin publik në Greqi. Sipas hetimeve, 39-vjeçari goditi bashkëshorten me çekiç, më pas i lidhi një kabllo rreth qafës dhe fshehu trupin e saj në papafingo.

Për disa ditë pas krimit, ai tentoi të mashtronte familjarët dhe miqtë e viktimës, duke pretenduar se Alba ishte larguar jashtë vendit për arsye pune. Vetëm pas pesë ditësh ai pranoi para autoriteteve se kishte vrarë bashkëshorten.

Gjatë procesit gjyqësor, prokurori i çështjes deklaroi se i akuzuari kishte vepruar me gjakftohtësi dhe kishte tentuar të mbulonte krimin, duke mos shfaqur asnjë shenjë pendese. Sipas prokurorisë, viktima ishte një grua punëtore dhe e përkushtuar ndaj familjes, e cila kishte si prioritet rritjen e fëmijëve.

Nga ana tjetër, gjatë mbrojtjes së tij, Kastriot Cenko pretendoi se kishte humbur kontrollin pas një debati me bashkëshorten. Ai deklaroi se viktima i kishte thënë se njëri prej fëmijëve nuk ishte i tij dhe se e kishte provokuar me ironi, çka sipas tij solli reagimin fatal.

Megjithatë, gjykata nuk e pranoi versionin e tij për veprim në kushte të forta emocionale dhe vendosi dënimin maksimal për krimin e rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit