Gjykata e Posaçme ka zhvilluar seancën për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj personave të arrestuar në kuadër të një operacioni të gjerë kundër pastrimit të parave, hetim i realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane dhe që lidhet me grupin e Igli Kamberit.
Sipas dosjes hetimore, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, prokurorët kanë zbuluar një skemë të mirëorganizuar për transportimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës, përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve dhe kamionëve.
Hetuesit dyshojnë se grupi kriminal përdorte transportues të besuar për të kaluar shuma të mëdha cash nga një shtet në tjetrin, me qëllim shmangien e kontrolleve doganore dhe fshehjen e origjinës së parave. Sipas SPAK, kjo metodë synonte të evitonte dokumentimin zyrtar të shumave monetare dhe detyrimet ligjore për deklarimin e tyre.
Në dosje thuhet se bashkëpunimi mes organizatorëve dhe shoferëve ishte i vazhdueshëm dhe i strukturuar. Shoferët që pranonin të transportonin paratë përfitonin pagesa në formën e përqindjeve, në këmbim të rrezikut që merrnin përsipër gjatë lëvizjes së shumave monetare.
Një nga episodet kryesore të dokumentuara nga hetuesit lidhet me datën 22 tetor 2024. Sipas materialeve hetimore, atë ditë është realizuar dorëzimi i një sasie të konsiderueshme parash cash, të fshehura në dy çanta me rroba të përdorura. Paratë dyshohet se iu dorëzuan shoferit shqiptar të kamionit, Sokol Fusha, nga shtetasja italiane Annamaria Lamia Caputo.
Automjeti tip FORD C-Max me targë DK447LA, i përdorur nga Caputo, rezulton se ishte nën përgjim audio dhe video nga autoritetet italiane. Pamjet e siguruara në një pikë karburanti përgjatë autostradës SS100 në Itali kanë dokumentuar lëvizjet dhe takimin mes personave të përfshirë në operacion.
Sipas hetimeve, gjatë gjithë itinerarit Caputo komunikonte me Ergys Kastratin, i cili i jepte udhëzime për vendin e takimit dhe identifikimin e personave të kontaktit. Në një prej mesazheve zanore, ai i ka treguar zonën ku do të ndodhej kamioni që do të merrte paratë.
Në dosje përmendet edhe një detaj që hetuesit e konsiderojnë domethënës për nivelin e organizimit të grupit. Pak para mbërritjes në vendtakim, Caputo është afruar nga një person tjetër me një automjet tjetër, i cili i ka thënë: “Kur të arrijmë atje, le të bëjmë sikur nuk njihemi”.
Sipas hetuesve, kjo tregon masat e marra nga grupi për të shmangur dyshimet dhe identifikimin nga autoritetet.
Në orën 16:11, Caputo mbërriti në stacionin e karburantit IP pranë Capurso-s, në drejtim të Barit, dhe informoi Ergys Kastratin me një mesazh zanor ku i konfirmonte mbërritjen. Lëvizjet e saj u dokumentuan si përmes sistemit GPS të automjetit, ashtu edhe nga kamerat e sigurisë së pikës së karburantit.
Në zonë ndodhej edhe një automjet AUDI A4 Avant me targë FM702DF, i drejtuar nga një person që dyshohet të jetë Sergio Lamonaca. Automjeti rezulton i regjistruar në emër të Nevila Kamberit, e cila sipas verifikimeve kishte hyrë në Shqipëri së bashku me dy fëmijët e saj më 8 gusht 2025.
Hetimet tregojnë se më pas Ergys Kastrati i ka dërguar Caputo-s udhëzime të tjera për identifikimin e kamionit që do të merrte paratë, duke përshkruar një kamion Volvo me tendë blu, i njëjti mjet që sipas prokurorëve ishte përdorur edhe në raste të tjera të ngjashme.
Pamjet filmike të administruara nga hetuesit tregojnë se kamioni kishte mbërritur në zonën e shërbimit që në orën 14:50 dhe kishte qëndruar i pozicionuar brenda pikës së karburantit, ku më pas dyshohet se u krye dorëzimi i shumave të konsiderueshme monetare.