Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e karabinierëve italianë në provincën e Bolonjës, pasi akuzohen për trafik të sasive të mëdha të kokainës. Të arrestuarit janë të moshave 22, 23 dhe 25 vjeç dhe u kapën gjatë një operacioni të zhvilluar nga njësia operative e Bolonjës, me mbështetjen e patrullave të tjera në zonë.
Sipas mediave italiane, hetimi u përqendrua te një furgon me targa shqiptare që kishte hyrë në Itali nga Spanja dhe dyshohej se transportonte një ngarkesë të konsiderueshme droge drejt provincës së Bolonjës.
Operacioni nisi pas informacioneve të mbledhura nga autoritetet për persona të dyshuar të përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, aktivitet që sipas hetuesve mbetet shumë i përhapur në zonë. Për këtë arsye, karabinierët organizuan një shërbim të posaçëm vëzhgimi dhe ndjekjeje për të interceptuar automjetin e dyshimtë.
Pas monitorimit në rrjetin autostradal, efektivët arritën të identifikonin furgonin pranë daljeve të autostradës në Valsamoggia. Mjeti u ndoq për disa kilometra dhe më pas u bllokua në zonën e Crespellano-s.
Gjatë kontrollit, tre shqiptarët që ndodheshin në bord shfaqën nervozizëm dhe vështirësi në komunikim në gjuhën italiane, gjë që shtoi dyshimet e policisë. Kontrolli i detajuar i automjetit zbuloi një vend sekret të ndërtuar brenda sistemit të kondicionimit të furgonit.
Brenda hapësirës së modifikuar ishin fshehur pesë pako me kokainë, me peshë totale mbi 5 kilogramë. Sipas karabinierëve, nëse droga do të hidhej në tregun e pakicës, fitimi i organizatës do të arrinte rreth 500 mijë euro.
Përveç drogës, gjatë kontrollit fizik ndaj të arrestuarve u sekuestruan edhe 6.430 euro cash, të ndara në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Autoritetet sekuestruan gjithashtu furgonin e përdorur për transportin e narkotikëve.
Tre shqiptarët, të cilët rezultojnë pa vendbanim të përhershëm në Itali, u arrestuan në flagrancë dhe u dërguan në burg me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës. Ata do të dalin para gjyqtarit për seancën e vlerësimit të masës së sigurisë.
Sipas hetuesve italianë, sasia e madhe e kokainës dhe mënyra e organizuar e transportit tregojnë ekzistencën e një rrjeti të strukturuar kriminal që merret me importimin dhe shpërndarjen e drogës në disa qytete të Italisë.