Disa biznese në Tiranë kanë rënë pre e mashtrimit nga një punonjëse e angazhuar përkohësisht në pozicionin e kamarieres, e identifikuar me emrin “Kumi” ose “Kumrie Zika”.
Sipas tre denoncimeve nga 3 lokale të ndryshme, “Kumi” është punësuar që në ditën e provës për shkak të mungesës së stafit, dhe në të treja rastet është larguar nga lokali i punës gjatë orarit, duke marrë me vete xhiron ditore të lokalit dhe shuma të tjera parash nga kasa.
Në rastin e fundit të ndodhur sot, pronarja e lokalit thotë se punonjësja është larguar pas disa orësh pune duke pretenduar se do të blinte diçka dhe nuk është kthyer më, ndërsa mungesa e xhiros së ditës është konstatuar menjëherë pas largimit.
Në një tjetër denoncim, një biznes i dytë pretendon se punonjësja është larguar papritur gjatë turnit duke marrë paratë e ditës dhe duke mos u kthyer më, pavarësisht përpjekjeve për ta kontaktuar.
Një rast i tretë i raportuar nga një subjekt tjetër biznesi tregon se Kumi ka marrë një shumë prej rreth 40,000 lekësh dhe më pas është larguar nga vendi i punës.
Bizneset e përfshira në këtë skemë mashtrimi thonë se rastet janë raportuar edhe pranë organeve të rendit dhe qëllimi i denoncimeve është paralajmërimi i bizneseve të tjera për të shmangur situata të ngjashme.
Denoncimi 1:
Përshëndetje, JOQ. Dua të denoncoj një rast të ndodhur në një bar-kafe në Tiranë, “Bar Gloria”. Sot kemi marrë në punë një vajzë si kamariere, në ditën e saj të parë të provës. Pas rreth 3 orësh pune, ajo është larguar duke thënë se do të blinte diçka dhe nuk është kthyer më. Në momentin e largimit, xhiroja e lokalit ishte rreth 180 euro. Dyshohet se ajo mund të ketë marrë gjithashtu edhe rreth 150 euro që mund të kenë qenë në xhep ose në ambientin e punës.
Personi është prezantuar me emrin “Kumi”. Nuk i është kërkuar dokument identifikimi pasi ishte dita e parë e provës dhe kishte ardhur direkt pas një njoftimi të parë në Instagram. Një ditë më parë kishte ardhur për të parë ambientin dhe punën dhe kishte qëndruar rreth një orë. Kemi pamje nga kamerat e sigurisë dhe mund t’i vendosim në dispozicion nëse nevojitet.
Denoncimi 2:
Përshëndetje, Dua të raportoj një rast të ndodhur në biznesin tonë (kafene). Kemi punësuar një zonjë me emrin Kumrie Zika (e njohur edhe me nofkën “Kumi”) si kamariere, në ditën e saj të parë të punës. Gjatë turnit, ajo është larguar papritur duke marrë me vete xhiron e ditës dhe para nga kasa, pa bërë dorëzim apo shpjegim. Ajo kishte vendosur si kusht pagesën paraprakisht para fillimit të punës. Në mes të orarit është larguar dhe nuk është kthyer më. Është kontaktuar me telefon, por nuk është përgjigjur.
Sipas informacioneve tona, ajo mund të ketë vepruar në mënyrë të ngjashme edhe më parë. Ne kemi bërë edhe kallëzim në polici, por na është thënë se pa humbjen e dokumentuar të plotë, çështja ndiqet sipas procedurave përkatëse.
Gjithashtu kemi në dispozicion pamjet e kamerave të sigurisë dhe jemi të gatshëm t’i vëmë në dispozicion të autoriteteve. Qëllimi ynë është të informohen edhe biznese të tjera për të shmangur raste të ngjashme.
Denoncimi 3:
Përshëndetje, Dua të raportoj një ngjarje të ndodhur sot në biznesin tonë. Kemi punësuar zonjën Kumie Zika si kamariere dhe gjatë ditës së punës dyshohet se ajo ka marrë nga kasa shumën prej rreth 40,000 lekësh dhe është larguar nga ambienti i punës pa leje.
Rasti është denoncuar edhe në polici. Sipas informacioneve që kemi marrë, personi në fjalë mund të ketë pasur edhe raste të tjera të ngjashme dhe nuk jemi të parët që raportojmë për këtë situatë. Qëllimi ynë është vetëm njoftimi i bizneseve të tjera që të kenë kujdes dhe të shmangen situata të ngjashme.