Policia e Durrësit ka reaguar pas publikimit në JOQ Albania të rastit të vjedhjes së një ore dore në një restorant në lagjen nr. 11 në Durrës, në pronësi të një shtetasi italian rezident në Shqipëri.
Ngjarja u denoncua nga vetë pronari i restorantit pranë redaksisë, ku kamerat e sigurisë kishin filmuar momentin kur një person merrte një orë dore dhe një palë syze të lëna mbi tavolinë, në kohën kur ai nuk ndodhej në ambientet e lokalit.
Sipas italianit, autori nuk ishte i panjohur për stafin, pasi kishte shkuar edhe herë të tjera në restorant duke kërkuar lëmoshë dhe shpesh ishte ndihmuar prej tyre.
Pas publikimit të videos në JOQ Albania, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve policore, u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi E. K., 42 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si autor i vjedhjes.
Policia bëri gjithashtu të mundur gjetjen e orës së vjedhur, e cila iu kthye pronarit italian. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.