Një 48-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga karabinierët italianë në zonën e Villorbës, në Itali, pasi dyshohet për përfshirje në vjedhje banesash dhe përdorimin e një makine të vjedhur. Sipas mediave italiane, gjithçka nisi rreth orës 23:00, kur policia ndaloi një Toyota Aygo të dyshimtë, e cila dyshohej se përdorej nga persona të përfshirë në grabitje.
Me të parë patrullën, shoferi fillimisht ndaloi automjetin, por më pas urdhëroi pasagjerin të largohej dhe tentoi të arratisej me shpejtësi. Ndërkohë, pasagjeri u ndoq nga karabinierët, duke kaluar në prona private dhe mbi gardhe biznesesh për t’iu shmangur arrestimit. Pasi u kap, 48-vjeçari reagoi me dhunë ndaj oficerëve, duke i goditur me grushte dhe shqelma në përpjekje për të shpëtuar.
Pas neutralizimit të tij, policia gjeti dhe sekuestroi një kaçavidë, një skaner radioje, doreza dhe një kapelë, sende që dyshohet se përdoreshin për aktivitete kriminale. Shqiptari u dërgua në qelinë e paraburgimit të Kompanisë së Karabinierëve të Trevisos, ndërsa makina e përdorur për arratisje u gjet më vonë e braktisur dhe u sekuestrua për hetime të mëtejshme.