Personazhi i njohur i TikTok-ut, Cllevio, u paraqit sot në GJKKO për të dëshmuar në procesin ndaj Laert Haxhiu. Në një prononcim për mediat, ai foli jo vetëm për konfliktin me reperin Noizy, por edhe për tentativat për pajtim mes tyre.
Cllevio deklaroi se konflikti me Noizyn ka qenë thjesht verbal dhe se sharjet mes tyre kanë qenë “si ato që bëhen në Parlament”. “Jemi sha me rob, siç shahen aty në Parlament. Nuk je sha ti me rob?”, u shpreh ai me ironi para gazetarëve, duke minimizuar përplasjen mes tyre. Ai shtoi se nuk ka kërkuar ndihmën e Laert Haxhiut për konfliktin dhe insistoi se gjithçka ka qenë në kuadër të përplasjes artistike dhe personale.
Në fund të deklaratës së tij, Cllevio zbuloi se kishte kërkuar edhe ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama për një pajtim me Noizyn. “I kam kërkuar Ramës të më pajtojë se e ka të vetin, por nuk më ka kthyer përgjigje”, tha ai, duke shkaktuar reagime dhe të qeshura mes të pranishmëve. Ndërkohë, seanca ndaj Laert Haxhiut u shty për më 3 qershor, ndërsa dëshmia e Cllevios pritet të jepet më 10 qershor.