Detaje të forta janë zbuluar këtë të enjte në sallën e GJKKO-së gjatë seancës ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, Behar Bajrit dhe Edmond Prekës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Gjin Ndoj Boriçit në vitin 2020.
Para trupës gjykuese kanë dëshmuar dy ish-efektivë të Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës, të cilët treguan momentet e para kur u përballën me skenën e krimit.
Ish-polici Fran Gjoka deklaroi se ngjarjen e kujton qartë, pasi në atë kohë ishte pjesë e patrullës së përgjithshme dhe po kthehej drejt komisariatit në fund të turnit.
Sipas dëshmisë së tij, rreth orës 05:30–06:00 të mëngjesit, ai dhe kolegu i tij konstatuan një automjet të ndaluar dhe disa metra më larg një person të shtrirë në tokë.
“Kur shkuam pranë vendit të ngjarjes pamë një makinë me ngjyrë kafe dhe një person të shtrirë mbrapsht 2-3 metra larg saj. Njoftuam grupin hetimor dhe më pas dorëzuam shërbimin”, mësohet të ketë deklaruar ai në gjykatë.
Ish-efektivi tha se viktima ndodhej me shpinë dhe nuk arriti ta identifikonte në ato momente, ndërsa automjeti rezultonte i fikur dhe i mbyllur, pa dëmtime të dukshme.
Edhe ish-polici tjetër, Gëzim Demaj, dëshmoi para GJKKO-së se ishte në turnin e tretë kur u përball rastësisht me skenën e krimit pranë një karburanti në Vau të Dejës.
Ai tregoi se fillimisht pa automjetin e ndaluar në rrugë dhe më pas trupin e pajetë të viktimës disa metra më larg.
“Kur zbrita pashë makinën e fikur dhe një person të shtrirë në tokë. Viktima ndodhej rreth 5 metra në anën tjetër të rrugës. Njoftova sallën operative dhe patrullën”, deklaroi Demaj.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes u gjetën pesë gëzhoja, të cilat u fiksuan nga patrulla, ndërsa ai qëndroi aty deri në orën 08:30 të mëngjesit.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet nga SPAK për “vrasje me paramendim” ndaj Gjin Ndoj Boriçit, ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, e kryer sipas Prokurorisë në bashkëpunim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Gjoka ka bashkëpunuar me Behar Bajrin dhe Edmond Prekën për realizimin e atentatit. Ndaj tij rëndojnë gjithashtu akuza për sigurim kushtesh për vrasje ndaj personave të tjerë, korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë dhe armëmbajtje pa leje.
Në dosjen voluminoze përfshihen edhe emra të tjerë të njohur për drejtësinë, mes tyre Astmer Bilali, si dhe ish-zyrtarët e policisë Ardit Hasanbegaj dhe Oltion Bistri, të akuzuar për korrupsion, nxjerrje të sekreteve hetimore dhe pastrim parash.