Rriten aksidentet në katërmujorin e parë të vitit, sjellja e shoferëve shkaku kryesor

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.05.2026, 13:40

Aksidentet rrugore kanë shënuar një rritje të lehtë gjatë katërmujorit të parë të vitit, ndërsa statistikat e muajit prill tregojnë se shkaku kryesor vijon të mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve në rrugë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, në prill 2026 janë regjistruar 132 aksidente rrugore, ku 194 persona kanë mbetur të vrarë, të plagosur ose të dëmtuar.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjatë muajve janar-prill 2026 numri i aksidenteve është rritur me 0,2%.

Raporti evidenton se 89,4% e aksidenteve të ndodhura në prill kanë ardhur si pasojë e gabimeve ose sjelljes së drejtuesve të automjeteve.

Më të përfshirët në aksidente rezultojnë drejtuesit e grupmoshës 25-34 vjeç, të cilët zënë 27,3% të rasteve të regjistruara.

Referuar ditëve të javës, më shumë aksidente janë shënuar të mërkurën dhe të premten, me nga 16,7% secila, ndërsa dita me numrin më të ulët të rasteve ka qenë e enjtja, me 9,8%.

Oraret më problematike për qarkullimin rezultojnë ato mes orës 19:00 dhe 24:00, interval në të cilin është regjistruar 30,3% e totalit të aksidenteve.

Rritja, edhe pse e lehtë, e aksidenteve gjatë këtij viti vjen pas një periudhe ku ishte vërejtur tendencë rënëse. Pas disa ngjarjeve të rënda të ndodhura së fundmi në vend, autoritetet kanë propozuar ndryshime në Kodin Rrugor, me synim forcimin e masave ndëshkuese për shkelësit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit