Një qytetar nga zona bregdetare e Golemit ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë me mbeturinat pranë pallateve dhe resorteve turistike.
Sipas denoncimit të mbërritur pranë JOQ Albania, prej ditësh plehrat janë grumbulluar në rrugë, ndërsa situata është përkeqësuar edhe më shumë pasi mbrëmjen e djeshme mbeturinave u është vënë flaka, duke mbuluar gjithë zonën me tym dhe erë të padurueshme.
Qytetari shprehet se, ndonëse zona është e mbushur me ndërtime luksoze, resorte dhe turistë të huaj, realiteti që përballen banorët dhe pushuesit është krejt tjetër, me ajër të rënduar dhe mungesë totale ndërhyrjeje efektive për pastrimin e zonës.
Sipas tij, edhe gjatë ditës së sotme punonjësit e pastrimit kanë bërë vetëm një “pastrim sa për sy e faqe”, duke hedhur kartona mbi vatrat e zjarrit, çka ka sjellë riaktivizimin e flakëve dhe përhapjen sërish të tymit pranë banesave.
“Kam ardhur me pushime në banesën time në Golem. Nga të gjitha anët shikon resorte dhe ndërtime luksoze, por nga ana tjetër plehrat kanë dalë deri në rrugë. Mbrëmë u është vënë flaka dhe gjithë pallatet janë mbuluar nga tymi. Era është e padurueshme dhe ajri shumë i rëndë. Sot punonjësit vetëm hodhën kartona mbi zjarr dhe flakët nisën përsëri”, shprehet qytetari.
Banorët dhe pushuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve, pasi situata jo vetëm dëmton imazhin e zonës turistike, por përbën edhe rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.