Presidenti Begaj në Haxh, ish-ministri kërkon shkarkimin: “Provokim kushtetues, u cenua laiciteti i shtetit“

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.05.2026, 19:10

Pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në ritualin fetar të Haxhit në Mekë ka nxitur reagime të forta politike në vend. Ish-ministri dhe ish-deputeti, Luan Rama, përmes një analize të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, e ka konsideruar këtë akt si një "provokim të thellë kushtetues" dhe ka kërkuar zyrtarisht nga Parlamenti nisjen e procedurave për shkarkimin e Kryetarit të Shtetit.

Sipas Ramës, shfaqja publike e Presidentit në një ritual me densitet të lartë fetar cenon hapur parimin e laicitetit të sanksionuar në Kushtetutë dhe dëmton rolin e tij si simbol i unitetit të popullit.

Në reagimin e tij, Luan Rama sqaron se problemi nuk qëndron te besimi personal i Bajram Begajt si qytetar, por te pesha institucionale që ai mbart. Sipas tij, kur Kryetari i Shtetit shfaqet në një ritual të tillë, besimi fetar fillon e lexohet si "shenjë e shtetit".

"Problemi është kur ky besim shfaqet përmes Kryetarit të Shtetit dhe fillon të lexohet si shenjë e shtetit. Sepse në atë moment, shteti bëhet i diskutueshëm në simbolikën e tij. Nga ky moment, çështja nuk mbetet e izoluar“, thotë ish-ministri.

Më tej, ai argumenton se ky gjest krijon një precedent të rrezikshëm që rrezikon ta kthejë Shqipërinë nga një shtet laik, në një shtet që administron apo menaxhon simbolet fetare:

  • Cenim i Neneve 10 dhe 86 të Kushtetutës: Rama thekson se këto nene garantojnë neutralitetin simbolik të shtetit dhe se Presidenti duhet të përfaqësojë një hapësirë ku asnjë qytetar nuk ndihet i përjashtuar.
  • Rreziku i precedentit: Sipas tij, normalizimi i këtij akti do të hapë rrugën që në të ardhmen Presidentët të gjenden nën presion për të prodhuar ekuilibra apo ekuivalenca fetare.

Në përmbyllje të analizës së tij, Luan Rama i është drejtuar me një thirrje të prerë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar marrjen e masave ekstreme institucionale.

"Në këto kushte dhe pas një provokimi të tillë kushtetues, shtetëror, etik, qytetar dhe politik, çfarë i mbetet të bëjë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, është të nisë menjëherë procesin e shkarkimit të Haxhi Bajram Begajt nga detyra e Presidentit të Republikës", përfundon ai, duke shtuar se Parlamenti e ka detyrim kushtetues të mbrojë laicitetin dhe nderin e shtetit.

Deri më tani, nga Presidenca apo nga mazhoranca parlamentare nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me deklaratat e Luan Ramës apo mbi debatin e ngritur për vizitën e Presidentit Begaj në Mekë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit