Një butik i produkteve luksoze “second hand”, i ndodhur në zonën prestigjioze të Faubourg Saint-Honoré në lagjen e 8-të të Parisit, u grabit gjatë natës mes së dielës dhe të hënës me metodën e “makinës përplasje”.
Sipas mediave franceze, rreth orës 04:30 të mëngjesit, autorët përplasën makinën pas xhamit të dyqanit “Luxury Dress Code”, duke thyer vitrinën. Kamerat e sigurisë kanë filmuar dy persona të maskuar dhe me doreza, të cilët hynë në butik dhe grabitën disa çanta luksoze të markave të njohura si Hermès dhe Chanel, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja.
Dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 200 mijë euro, ndërsa sipas disa raportimeve mund të arrijë edhe deri në 500 mijë euro ose më shumë. Autoritetet franceze kanë nisur hetimet, të cilat i janë besuar Brigadës për Luftën kundër Banditizmit (BRB), ndërsa autorët vazhdojnë të jenë në arrati.