Një hetim i Prokurorisë së Fierit ka zbuluar një rast të pazakontë falsifikimi dokumentesh, ku dyshohet se një përkthyese me inicialet A.K. ka tentuar të manipulojë procedurat ligjore për të zgjidhur një situatë personale.
Sipas dosjes hetimore, A.K. ka qenë në një lidhje intime me shtetasin F.H., i cili rezultonte i martuar ligjërisht. Pas mbetjes shtatzënë, ajo ka tentuar të ndërpresë martesën e tij me synimin për të lidhur vetë martesë me të. Për këtë qëllim, dyshohet se janë falsifikuar dokumente gjyqësore shqiptare dhe greke, përfshirë një vendim të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë dhe një vendim të një gjykate në Greqi.
Hetimet nisën në vitin 2025, pasi Zyra e Gjendjes Civile në Bashkinë Fier konstatoi parregullsi dhe dërgoi për verifikim dokumentet e paraqitura. Nga verifikimet rezultoi se vendimi i pretenduar i Apelit të Tiranës, që kishte si qëllim njohjen e një vendimi të huaj për zbatim në Shqipëri, ishte i falsifikuar.
Sipas Prokurorisë, dokumentet e dyshuara janë dorëzuar në institucion nga A.K. në bashkëpunim me një avokate me inicialet A.M., e cila gjithashtu ka qenë e përfshirë në komunikime dhe përpjekje për të ndikuar në regjistrimin e tyre në gjendjen civile.
Në njoftimin zyrtar theksohet se të dyja të pandehurat dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara me qëllim zgjidhjen e martesës së F.H. përmes një vendimi të manipuluar gjyqësor, në mënyrë që më pas të realizohej martesa e re.
A.K. dhe A.M. janë marrë të pandehura për falsifikim dokumentesh dhe janë dërguar për gjykim. Sipas burimeve, përkthyesja e ka pranuar akuzën, ndërsa avokatja e ka mohuar përfshirjen në ngjarje. Nga ana tjetër, shtetasi F.H. rezulton se nuk ka pasur dijeni për veprimet e ndërmarra.