Tensione dhe incidente janë shënuar në qendër të Leipzigut vetëm pak orë përpara finales së UEFA Conference League mes Crystal Palace dhe Rayo Vallecanos. Skenat e publikuara në rrjetet sociale tregojnë përplasje mes tifozëve të të dyja skuadrave pranë një pub-i irlandez, duke detyruar policinë gjermane të ndërhyjë për të rikthyer qetësinë dhe për të parandaluar agravimin e situatës.
Në videot që po qarkullojnë online shihen efektivët e policisë duke ndërhyrë me shpejtësi mes turmave të tifozëve, ndërsa në disa momente në drejtim të grupeve janë hedhur shishe qelqi dhe karrige. Persona të pranishëm në zonë e kanë përshkruar situatën si një “kaos i vërtetë”, ndërsa disa tifozë janë parë të rrëzohen gjatë përleshjeve përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Sipas raportimeve të deritanishme, autoritetet kanë bllokuar një pjesë të zonës pranë Market Square, ndërsa dhjetëra tifozë janë shoqëruar dhe mbajtur për disa orë nga policia për shkak të dyshimeve për prishje të rendit publik.
Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi personat e përfshirë në incident, ndërsa mbetet e paqartë nëse përplasjet janë shkaktuar nga tifozë të Rayo Vallecanos apo nga grupe ultras gjermane. Gjithashtu, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar.
Finalja e kësaj të mërkure konsiderohet një moment historik për të dy klubet, pasi si Crystal Palace ashtu edhe Rayo Vallecano janë në kërkim të trofeut të tyre të parë madhor në arenën europiane. Përveç trofeut, skuadra fituese do të sigurojë edhe një vend në Europa League për sezonin e ardhshëm.