Një pronar italian restoranti në Durrës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast vjedhjeje që ka ndodhur brenda biznesit të tij.
Sipas denoncuesit, kamerat e sigurisë kanë filmuar qartë momentin kur një person merr një orë dhe një palë syze të lëna mbi tavolinë në restorant, ndërkohë që pronari nuk ndodhej aty.
Ai tregon se personi në fjalë nuk ishte i panjohur për stafin, pasi kishte shkuar edhe herë të tjera në restorant duke kërkuar lëmoshë dhe shpesh ishte ndihmuar prej tyre.
“Nuk është hera e parë që vinte në restorant dhe kërkonte lekë. Ne e kemi ndihmuar disa herë. Në atë moment nuk isha aty dhe siç shihet në video, merr orën dhe syzet nga tavolina”, shprehet pronari italian.
Ai shton se përtej vlerës materiale, ora ka rëndësi të veçantë sentimentale pasi e kishte dhuratë, ndaj kërkon që personi t’ia kthejë vetë sendet e marra.
“Përveç faktit që është një veprim i shëmtuar, orën e kam dhuratë. Nëse ai person i dorëzon vetë sendet, unë e tërheq denoncimin që kam bërë në polici”, thotë ai.
Në fund të komunikimit me redaksinë tonë, pronari italian shprehet se vazhdon të besojë te Shqipëria dhe te dëshira për t’i bërë gjërat siç duhet:
“Unë besoj te ky vend dhe te dëshira për t’u rritur dhe për të bërë gjërat mirë. Duhet të besojmë.”