Një situatë shqetësuese po denoncohet nga banorët e zonës së Shkëmbit të Kavajës në Durrës, ku prania e madhe e qenve endacakë po krijon pasiguri dhe frikë për qytetarët, sidomos për familjet me fëmijë.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë tonë, numri i qenve endacakë është shtuar ndjeshëm gjatë kohëve të fundit, ndërsa ata lëvizin lirshëm pranë pallateve dhe zonave të frekuentuara nga banorët.
Qytetarët shprehen se situata është bërë problem serioz dhe se ndihen të rrezikuar sa herë dalin jashtë me fëmijët. Ata pretendojnë se kanë kontaktuar disa herë Bashkinë e Durrësit për të kërkuar ndërhyrje, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.
“Jemi te Shkëmbi i Kavajës dhe kemi frikë të rrimë jashtë me fëmijët, sepse qentë janë të shumtë dhe shpesh agresivë. Kemi njoftuar Bashkinë disa herë, por përgjigjja ka qenë se nuk kanë çfarë të bëjnë”, shprehen banorët.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Durrësit dhe kryebashkiakes Emiriana Sako që të ndërhyjnë sa më parë për menaxhimin e qenve endacakë, në mënyrë që të shmangen rreziqet dhe të rikthehet siguria në zonë.