Një qytetar nga Durrësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë alarmante në lagjen nr.4, pranë portit të qytetit, ku për pak sa nuk është goditur nga një copë betoni e shkëputur nga një pallat shumëkatësh.
Sipas denoncuesit, copa e betonit ka rënë vetëm rreth 1 metër larg tij, ndërsa po kalonte pranë godinës gjatë pasdites së sotme. Ai shprehet se “e shpëtoi Zoti”, pasi ngjarja mund të kishte përfunduar në tragjedi.
“Me shpëtoi Zoti pasditen e sotme. Isha duke kaluar në Durrës te lagjja nr.4, më ra një copë betoni 1 metër larg meje nga ky pallati shumëkatësh”, shkruan qytetari.
Banorët e zonës prej vitesh e kanë denoncuar këtë pallat si një rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Katet e sipërme të godinës janë lënë të papërfunduara dhe në gjendje të degraduar, ndërsa herë pas here raportohen shkëputje suvaje, tullash dhe copa betoni që bien pranë trotuareve dhe automjeteve.
Sipas banorëve, pallati është kthyer në një “bombë me sahat” në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit. Edhe pse prej kohësh flitet për probleme me objektin dhe madje për mundësinë e shembjes së tij, deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete dhe godina vazhdon të qëndrojë në të njëjtën gjendje alarmante.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse, para se neglizhenca të marrë jetë njerëzish.