SHBA godet sërish Iranin, sulmohen bazat raketore dhe anijet në jug të vendit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.05.2026, 19:10

Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme të reja ndaj Iranit, duke goditur baza raketore dhe mjete detare në jug të vendit, pranë ngushticës strategjike të Hormuzit.

Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) deklaroi se sulmet u kryen në “vetëmbrojtje”, me qëllim mbrojtjen e trupave amerikane nga kërcënimet e forcave iraniane. Sipas raportimeve, objektivat ndodheshin pranë Bandar Abbas, qytet portual ku ndodhet një nga bazat kryesore detare iraniane.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendon se ka rrëzuar një dron amerikan dhe ka hapur zjarr ndaj një avioni luftarak dhe një tjetër droni që, sipas tyre, kishin hyrë në hapësirën ajrore iraniane.

Tensionet mes dy vendeve vijojnë pavarësisht armëpushimit të shpallur muaj më parë. Irani paralajmëroi se ka “të drejtën legjitime” për t’u kundërpërgjigjur ndaj çdo shkeljeje nga SHBA.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një marrëveshje mes palëve mbetet ende e mundur dhe se po zhvillohen bisedime mes Iranit dhe Katarit për të shtyrë armëpushimin dhe për të vijuar negociatat mbi programin bërthamor iranian.

Ndërkohë, lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se Lindja e Mesme “nuk do të shërbejë më si mburojë për bazat amerikane”, duke paralajmëruar një ndryshim të balancave në rajon.

Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar që prej sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit, të cilat ndezën konfliktin në Lindjen e Mesme dhe shkaktuan rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet globale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit