Përmbysje e madhe për Aeroportin e Vlorës! Gjykata e Lartë “përzë” Valon Ademin, rikthehet Behgjet Pacolli

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.05.2026, 19:01

Gjykata e Lartë ka marrë sot një vendim kapitullues lidhur me fatin e administrimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke përmbysur tërësisht balancat e një lufte të fortë ligjore dhe ekonomike. Trupi gjykues ka rrëzuar përfundimisht kërkesën e biznesmenit Valon Ademi dhe kompanive të tij, duke i hequr atyre kontrollin mbi projektin strategjik dhe duke i hapur rrugën rikthimit zyrtar në vendimmarrje të manjatit Behgjet Pacolli.

Me këtë vendim, Gjykata e Lartë ka zhbërë vendimet e mëparshme të dy shkallëve të para të gjyqësorit, të cilat i kishin dhënë përparësi Ademit. Konkretisht, është rrëzuar masa e sigurimit të padisë që ishte kërkuar nga shoqëritë “Vlora International Airport” dhe “ZA Group”, të cilat mbanin të bllokuar përfshirjen e Pacollit në këtë investim të madh infrastrukturor.

Më herët, situata dukej e blinduar në favor të Valon Ademit. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë kishte lënë në fuqi një vendim që i njihte atij të drejtën ekskluzive për administrimin e aeroportit, duke e lënë jashtë çdo lloj vendimmarrjeje kompaninë e Behgjet Pacollit. Ky skenar ka rënë sot zyrtarisht, pasi Gjykata e Lartë vendosi:

"Ndryshimin e vendimit nr. 17959 Akti, datë 23.12.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe vendimit nr. 185 (30-2026-1569), datë 19.02.2026 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke rrëzuar kërkesën e paditësve 'Vlora International Airport' SHPK dhe 'ZA Group' për marrjen e masës së sigurimit të padisë."

Përplasja e madhe për pronësinë dhe administrimin e dytë më të madh në vend nuk mbeti vetëm brenda mureve të gjykatave, por u zhvendos edhe në terren. Ditët e fundit situata në kantierin e punimeve të Aeroportit të Vlorës kishte degraduar në tensione të ashpra.

Në zonën ku po kryhen punimet u raportuan përplasje fizike dhe verbale mes punonjësve të sigurisë dhe përfaqësuesve të kompanisë së Behgjet Pacollit dhe atyre të Valon Ademit, duke krijuar një situatë kaotike në një nga projektet më të rëndësishme kombëtare. Ky vendim i sotëm i Gjykatës së Lartë pritet të qetësojë situatën në kantier, duke sqaruar përfundimisht se kush do t'i mbajë frenat e projektit në vazhdim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit