Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që e cilëson si një situatë skandaloze dhe çnjerëzore në urgjencën e QSUT-së në Tiranë.
Sipas saj, motra kishte pësuar gjendje të fikëti dhe shfaqte probleme serioze shëndetësore, por pavarësisht gjendjes së rënduar, janë lënë të presin për më shumë se 3 orë në urgjencë, pa marrë ndihmën e duhur mjekësore.
Qytetarja tregon se mjekët dhe infermierët u kanë kërkuar rekomandim nga mjeku i familjes, ndërkohë që ato janë studente dhe nuk e kanë mjekun e familjes në Tiranë. Sipas saj, kjo burokraci absurde ka bërë që pacientja të mbetet për orë të tëra pa trajtim, derisa në fund është dërguar vetëm për të marrë serum.
“Pritëm rreth 3 orë te urgjenca. Askush nuk na fliste, vetëm na thonin: ‘S’kemi çfarë bëjmë, duhet mjeku i familjes’. Ne nuk e kemi mjekun e familjes në Tiranë sepse jemi studente. Vetëm pasi panë gjendjen e rënduar e çuan për serum, pa bërë asgjë tjetër. Ishte gati në gjendje paralize”, shprehet denoncuesja.
Ajo shton se ishte e shokuar nga mënyra e trajtimit dhe mungesa e humanizmit ndaj pacientëve, duke theksuar se e njëjta situatë po ndodhte edhe me persona të tjerë që prisnin në urgjencë.
Denoncuesja kërkon që rasti të merret seriozisht dhe institucionet përgjegjëse të reagojnë ndaj asaj që ajo e konsideron papërgjegjshmëri dhe neglizhencë në një nga spitalet më të mëdha në vend.