“E vrava me çekiç ndërsa fëmijët flinin”: Shqiptari rrëfen në gjykatë si e vrau gruan

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.05.2026, 18:16

Një dëshmi rrëqethëse dhe plot detaje makabre ka pushtuar sallën e gjyqit në Greqi, ku shqiptari Kastriot Cenko ka zbardhur të gjithë skenarin e krimit të rëndë në familje të ndodhur dy vite më parë. Përpara trupit gjykues, 42-vjeçari ka rindërtuar kronologjinë e asaj nate tmerri të 29 nëntorit të vitit 2024 në Ampelokipi, ku la të vdekur në vend bashkëshorten e tij, Alba Cenko, nënë e dy fëmijëve.

Autori ka treguar pa doreza prapaskenat e një marrëdhënieje të degraduar, xhelozinë dhe arsyen banale që e shtyu të merrte çekiçin e të godiste për vdekje 32-vjeçaren, ndërsa fëmijët e tyre të vegjël flinin në dhomën ngjitur.

Sipas thënieve të të pandehurit, çifti prej vitesh po kalonte një krizë të thellë dhe marrëdhënia e tyre po shkonte drejt një ndarjeje të pashmangshme. Cenko pranoi para gjyqtarëve se kishte dyshime të forta se bashkëshortja e tradhtonte me një shok të fëmijërisë së tij, një fakt që fillimisht e kishte mohuar, por që më pas e pranoi duke thënë se kishte zgjedhur ta toleronte vetëm që fëmijët të mos përjetonin divorcin.

Debati i fundit mes tyre ka agravuar kur viktima i ka bërë me dije se do të largohej përfundimisht nga shtëpia bashkë me fëmijët, duke i hedhur edhe fjalët e rënda se fëmija i vogël nuk ishte i tij. Kjo deklaratë, sipas autorit, e ka errësuar plotësisht, duke bërë që ta godiste menjëherë me çekiç në kokë.

Pasi kreu krimin e rëndë, gjakftohtësia e 42-vjeçarit ka qenë e paimagjinueshme. Për të shmangur panikun e fëmijëve nga gjaku, ai i ka vendosur një qese në kokë viktimës, e ka mbështjellë trupin me jorgan e çarçaf dhe e ka fshehur fillimisht brenda në dollap.

Menjëherë pas kësaj skene makabre, ai është çuar në mëngjes për t'u përgatitur ushqimin fëmijëve dhe i ka përcjellë ata për në shkollë si në një ditë normale, duke shkuar më pas edhe në punë ku ka gënjyer kolegët se e shoqja ishte larguar nga shtëpia.

Meqenëse apartamenti ishte i vogël dhe rreziku që fëmijët të hapnin dollapin ishte i madh, Cenko ka shfrytëzuar ditën e shtunë, pasi i ka dërguar fëmijët te vëllai i tij, për ta zhvendosur trupin e pajetë të së shoqes në papafingon e ndërtesës.

Përballë pyetjeve këmbëngulëse të gjykatës se pse nuk njoftoi ambulancën apo policinë, ai u mbrojt duke thënë se ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe po kërkonte guximin për t'u treguar të vërtetën fëmijëve, duke mohuar se qëllimi i tij ishte zhdukja përfundimtare e kufomës.

Tmerri i kësaj ngjarjeje shtohet edhe më shumë nga dëshmia e nënës së viktimës, e cila ka zbuluar se si vrasësi i vajzës së saj arriti t'i mashtronte për një javë rresht.

Derisa vendosi të vetëdorëzohej dhe të njoftonte policinë plot shtatë ditë pas krimit, Kastriot Cenko kishte mbajtur telefonin e Alba Cenkos dhe u dërgonte familjarëve të saj mesazhe qetësuese në emër të saj, duke u shtirur sikur ajo ishte shëndoshë e mirë, ndërsa trupi i saj dekompozohej në papafingo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit