SI SOT/ Gj. Adm i futi Ulajt në xhep 330 MLN €! Hijet e koncesionit Thumanë-Vorë-Kashar

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.05.2026, 13:58
Para katër vitesh, Gjykata Administrative e Apelit riktheu në fuqi koncesionin për aksin Thumanë–Kashar, duke i hapur rrugë një prej projekteve më të debatueshme infrastrukturore në vend, ku përfitues është kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj. Trupa gjykuese e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa rrëzoi vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës të vitit 2019 për anulimin e kontratës, duke e detyruar qeverinë ta çonte marrëveshjen për miratim dhe zbatim.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë firmosi kontratën e re koncesionare me “Gener 2” dhe “G2 Infra” për projektimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe mirëmbajtjen e aksit Thumanë–Vorë–Kashar, me afat 35-vjeçar dhe modelin DBFOM. Projekti përfshin një segment prej 20.4 kilometrash, me kosto të deklaruara dhe projeksione financiare që kalojnë 330 milionë euro, ndërsa në dokumente parashikohej edhe qarkullimi i mbi 1.3 miliardë eurove të ardhura gjatë gjithë jetës së koncesionit nga tarifat e përdoruesve të rrugës. Kontrata përfshin gjithashtu elemente të ndërtimit si ura, mbikalime dhe nënkalime, si dhe garanci shtetërore për të ardhurat në rast se trafiku nuk përmbush pritshmëritë.
Ky projekt ka ngjallur debate të forta për mënyrën e financimit dhe barrën që i kalon qytetarëve, pasi përveç kostos së ndërtimit, përdoruesit do të paguajnë tarifë për përdorimin e aksit për dekada. Kritikët e kanë cilësuar vendimin e gjykatës si momentin kyç që i hapi rrugë përfitimeve të mëdha për kompaninë koncesionare, ndërsa çështja është shoqëruar me pikëpyetje mbi transparencën, vlerën reale të projektit dhe ndikimin e tij afatgjatë në buxhetin dhe taksapaguesit shqiptarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit