Organizatat kriminale shqiptare po konsiderohen gjithnjë e më shumë si ndër strukturat më të fuqishme dhe më të rrezikshme në Europë. Kjo është panorama që paraqitën autoritetet italiane dhe shqiptare gjatë një operacioni të përbashkët kundër krimit të organizuar, ku u goditën rrjete të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave që vepronin mes Shqipërisë dhe Italisë.
Prokurori italian Giuseppe Gatti deklaroi se grupet shqiptare kanë kaluar prej kohësh fazën kur konsideroheshin organizata që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm. Sipas tij, sot ato kanë marrë rol dominues në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe funksionojnë me struktura tipike mafioze, duke ruajtur lidhje të forta me bazat e tyre në Shqipëri edhe kur operojnë jashtë vendit.
Ai theksoi se hetimet kanë zbuluar një nivel të lartë organizimi, ku grupet shqiptare jo vetëm kontrollojnë aktivitetin kriminal në disa vende europiane, por përplasen edhe mes tyre për territore dhe dominim. Sipas Gattit, mënyrat e ekzekutimeve, djegia e trupave dhe kodi i heshtjes janë elementë që tregojnë qartë natyrën mafioze të këtyre organizatave.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Vladimir Mara, u shpreh se hetimet kanë dokumentuar episode të trafikut të narkotikëve, pastrimit të parave dhe madje edhe vrasje të kryera në Itali. Ai theksoi se grupet kriminale shqiptare kanë përfituar nga mbështetja dhe lidhjet e krijuara në Itali për të modernizuar aktivitetin e tyre kriminal, por shtoi se krimi i organizuar nuk duhet parë si çështje kombësie, por si një fenomen ndërkombëtar që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes autoriteteve.
DEKLARATA E PLOTË E PROKURORIT ITALIAN:
“Ky operacion na lejon të bëjmë një lloj analize për krimin e organizuar. Aktualisht mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në BE. Ndoshta për një kohë të gjatë janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin si grupe që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm.
Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, e krijuar dhe e konsoliduar në Shqipëri.
Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi.
Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze. Në grup ndodhet edhe një person nën hetim në Itali, pjesë e një strukture që pastron paratë e drogës.
Këto organizata zhvillojnë aktivitet kriminal edhe në Itali dhe e konfirmojnë nivelin e tyre kriminal përmes vrasjeve. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet.
Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale.
Personi i akuzuar për vrasje e justifikon ekzekutimin duke thënë se nuk ishin respektuar rregullat e ‘familjes’. Kemi arritur të kuptojmë një model kriminal që ka bazën në Tiranë, por që është shtrirë edhe në Itali, duke ruajtur rregullat dhe hierarkinë tipike të organizatës ‘mëmë’”, deklaroi prokurori italian Giuseppe Gatti.